Secondary Adv

Riorganizohet transporti ndërqytetës, bashkohen linjat dhe hapen itinerare të reja

Strategjia e Transportit 2030 parashikon riorganizimin e linjave ndërqytetëse, biletimin elektronik dhe modernizimin e terminaleve.

Rrjeti i transportit ndërqytetës në Shqipëri do t'i nënshtrohet një riorganizimi që parashikon eliminimin e linjave të mbivendosura, bashkimin e atyre me performancë të dobët dhe hapjen e itinerareve të reja në zonat ku qytetarët nuk kanë akses të mjaftueshëm në transportin publik.


Strategjia Sektoriale e Transportit dhe Plani i Veprimit 2030, miratuar nga qeveria më 28 tetor 2026, parashikon gjithashtu vendosjen e biletimit elektronik, koordinimin e orareve dhe modernizimin e terminaleve të autobusëve.


Për optimizimin e rrjetit të linjave ndërqytetëse, qeveria ka planifikuar një fond prej 700 mijë eurosh gjatë periudhës 2027–2030. Riorganizimi do të mbështetet në një analizë kombëtare të kërkesës për transport, duke marrë parasysh numrin e popullsisë sipas qarqeve dhe bashkive, flukset e udhëtarëve, nevojat e zhvillimit rajonal dhe lidhjen me korridoret kryesore rrugore.


Strategjia evidenton se sistemi aktual i transportit ndërqytetës është i fragmentuar dhe se rrjeti i linjave është përcaktuar kryesisht nga oferta e operatorëve, në vend të një planifikimi të integruar sipas nevojave të qytetarëve.


Si pasojë, në disa itinerare ka mbivendosje linjash dhe shërbime joeficiente, ndërsa zona të tjera, veçanërisht ato rurale, mbeten me akses të kufizuar në transportin publik. Dokumenti evidenton gjithashtu flotën e vjetëruar, mungesën e uniformitetit në cilësinë e shërbimit, praktikat informale dhe lidhjen e dobët të autobusëve me transportin urban, hekurudhat, portet dhe aeroportet.


Sipas strategjisë, këto problematika kontribuojnë në rëndimin e trafikut, rritjen e ndotjes dhe uljen e standardeve të sigurisë, duke kufizuar njëkohësisht mundësitë e lëvizjes për qytetarët.


Linja të reja për zonat pa transport dhe orare të koordinuara

Një nga objektivat kryesore të reformës është përmirësimi i mbulimit me transport publik në zonat ku shërbimi është aktualisht i pamjaftueshëm. Plani parashikon eliminimin e linjave të përsëritura, joeficiente dhe të paformalizuara, konsolidimin ose bashkimin e linjave me performancë të ulët, si dhe miratimin e itinerareve të reja sipas kërkesës për lëvizje.


Ndryshimet do të shoqërohen me rishikimin e ndalesave dhe stacioneve të nisjes e mbërritjes, formalizimin e pikave të qëndrimit përgjatë itinerareve dhe vendosjen e orareve më të koordinuara. Synimi është që autobusët të funksionojnë me frekuenca dhe intervale më të përshtatshme për nevojat e udhëtarëve.


Reforma ka rëndësi veçanërisht për studentët, punonjësit dhe banorët e zonave rurale, për të cilët transporti ndërqytetës përbën shpesh mundësinë kryesore për të udhëtuar drejt qendrave urbane, institucioneve arsimore apo vendeve të punës.


Megjithatë, strategjia nuk përcakton ende se cilat linja ekzistuese do të hiqen ose bashkohen dhe as zonat konkrete ku do të hapen shërbime të reja. Këto vendime pritet të mbështeten në vlerësimin kombëtar të kërkesës për transport.


Biletim elektronik, orare dhe çmime të publikuara online

Përveç riorganizimit të linjave, strategjia parashikon zhvillimin e një sistemi kombëtar të biletimit elektronik për transportin ndërqytetës.

Operatorët do të orientohen drejt publikimit të të dhënave për oraret, tarifat dhe cilësinë e shërbimit, ndërsa udhëtarët synohet të kenë akses në informacion në kohë reale përmes platformave online dhe sistemeve të informacionit në terminale.


Dokumenti parashikon që biletimi elektronik ndërqytetës të jetë i ndërveprueshëm edhe me sistemet e transportit urban, rrethqytetës, ndërkombëtar dhe hekurudhor.


Një pjesë e informacionit mbi linjat, oraret dhe terminalet ofrohet tashmë përmes platformës e-Transport, të administruar nga DPSHTRR. Reforma synon zgjerimin e këtyre shërbimeve dhe integrimin e tyre me sistemet e tjera të transportit.


Në Planin e Veprimit, vendosja e sistemeve të informacionit në kohë reale dhe pilotimi i biletave multimodale janë programuar për periudhën 2029–2032, me një kosto prej 150 mijë eurosh. Kjo do të thotë se një pjesë e ndryshimeve digjitale shtrihet edhe përtej horizontit të vitit 2030.


20 milionë euro për nyjet multimodale dhe modernizimin e transportit

Në fokus të strategjisë është edhe modernizimi i terminaleve ndërqytetëse, përmes përmirësimit të standardeve të sigurisë, aksesueshmërisë, komoditetit dhe shërbimeve digjitale, si dhe menaxhimit më të mirë të fluksit të udhëtarëve.


Për studimet e fizibilitetit dhe përgatitjen e projekteve për ndërtimin ose modernizimin e terminaleve janë planifikuar 300 mijë euro gjatë viteve 2027–2028.


Ndërkohë, programi kombëtar i investimeve në nyjet multimodale ka një kosto të parashikuar prej 20 milionë eurosh dhe shtrihet gjatë periudhës 2027–2032.


Strategjia synon gjithashtu koordinimin e orareve të autobusëve ndërqytetës me transportin urban, shërbimet hekurudhore, lidhjet me aeroportet dhe terminalet portuale. Qëllimi është reduktimi i kohës së pritjes dhe lehtësimi i udhëtimeve që kërkojnë përdorimin e disa mjeteve të transportit.

Për realizimin e reformës parashikohet forcimi i rolit të MobAl, kompanisë kombëtare të transportit publik, si dhe i kapaciteteve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe DPSHTRR-së për planifikimin, monitorimin dhe kontrollin e shërbimeve.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat